TË DREJTAT E MIJA
Avokim për të drejtat politike dhe sociale
E drejta e votës :
Çdo qytetar i Kosovës i cili është i banor i Kosovës por jeton jashtë vendit amë ka të drejtë vote në Kosovë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ju mundëson qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit të votojnë përmes postës në zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale që mbahen në Kosovë. Për të votuar përmes postës, ju duhet të përmbushni kriteret e zotësisë juridike, të cilat mund t’i gjeni në këtë vegëz. Sidoqoftë, pengesa të ndryshme teknike, administrative dhe ligjore vështirësojnë pjesëmarrjen në zgjedhjet e përgjithshme dhe lokale.
Kosova vetë mund të përfitonte shumë nga vota e diasporës. Do të ishte një votë emancipuese sepse shumica e mërgimtarëve kanë një jetë të pavarur që nuk ndikohen nga politikanët vendorë. Do të ishte një votë emancipuese sepse mund të sjellë në politikën e Kosovës përvojën e demokracive në vendet perëndimore ku jeton shumica e diapsorës. Nga ana e tyre mërgimtarët do të fitonin më shumë besim te shteti që kanë ndihmuar e po ndihmojnë.
Përfaqësimi:
E drejta për të zgjedhur, nënkupton edhe të drejtën për t’u zgjedhur. Mirëpo, në rastin e Diasporës tonë, çështja është më e komplikuar. Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, neni 45, pika 1 thote: Çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka arritur moshën tetëmbëdhjetë vjeç, qoftë edhe ditën e zgjedhjeve, gëzon të drejtën të zgjedhë dhe të zgjedhet, me përjashtim kur kjo e drejtë i kufizohet me vendim gjyqësor.
Përshkak të rolit dhe kontributit të paçmuar që Diaspora ka dhënë dhe vazhdon të jap në vendin amë, si përmes remitencave dhe ndihmës në zhvillimin ekonomik, përfaqësimi i diasporës në institucionet e vendit, është një pikë e rëndësishme. Kosova duhet të trajtojë diasporën si një aset të çmueshëm me potencial të madh të ndryshimeve pozitive dhe agjent të zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.
Kartoni Gjelbër:
Si mungesë e anëtarësisë së Kosovës në Organizatën e Kartonit të Gjelbër, çdo automjet i huaj që hyn në Kosovë detyrohet të paguajë sigurim kufitar (në hyrje të pikave kufitare) për sigurimin nga autopërgjegjësia. E njëjta aplikohet edhe për veturat me regjistrim të Kosovës të cilat udhëtojnë jashtë vendit. Rrjedhimisht, edhe anëtarët e diasporës kosovare kalojnë nëpër të njëjtin proces.
Ka indikacione se taksimi përmes policës kufitare, është burim i një pakënaqësie të konsiderueshme për diasporën e cila zakonisht e vërshon Kosovën në numra më të mëdhenj dy herë në vit.
BSK në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe atë të Diasporës duhet që sa më shpejtë të ndjekin hapat për anëtarësim të Kosovës në Kartonin e Gjelbër. Kjo duhet bërë duke ndjekur shembullin e institucioneve të tjera të Kosovës të cilat janë anëtarësuar në organizata ndërkombëtare edhe pse Kosova nuk është anëtare e OKB-së.
Mësimi plotësues:
Prej reformave të gjuhës shqipe në vitin 1972 në Kongresin e Drejtshkrimit, gjuha shihet si një mjet kryesor i unifikimit të shqiptarëve. duke e konsideruar diasporën, si shtyllë mbështetëse për zhvillim ekonomik për një kohë të gjatë për vendin tonë, ruajta dhe forcimi i lidhjeve merr mjaft rëndësi. Për këtë, mësimi i gjuhës shqipe, gjeografisë si dhe trashëgimisë kulturore për brezin e dytë dhe të tretë konsiderohet si bazë e forcimit të identitetit shqiptar.
Sipas ligjit për arsimin para-universitar, Ministria përkatëse për diasporë ka për detyrë që të ndihmojë në krijimin e kushteve për ruajtjen dhe mësimin e gjuhëve zyrtare të Republikës së Kosovës dhe në gjuhët e komuniteteve tjera në të cilat zhvillohet sistemi arsimor në Kosovë